Home / Lajme / Dëshmitari tregon si e gjeti makinën e Olldashit pak minuta pas përplasjes

Dëshmitari tregon si e gjeti makinën e Olldashit pak minuta pas përplasjes

aksidenti kol

Është Haki Sallufi, pronari i lokalit të parë që ndodhet sapo del nga tuneli i Krrabës, për drejt Tiranës, i cili rrëfen momentet e aksidentit të së mërkurës në mbrëmje.

Lokali i tij ndodhet vetëm 30 metra larg vendit të aksidentit tragjik që i mori jetën deputetit Sokol Olldashi. Ai tregon se ora duhej të ishte 21:17 minuta, kur ndodhi e gjithë kjo.

“Pashë veturën e zezë që kaloi dhe të them të drejtën nuk ishte me shpejtësi të madhe, por sapo ktheva kokën për nga lokali dallova dritat që morën për tatëpjetë”, – tregon ai.

Shkova pastaj me shpejtësi sepse disa njerëz që ishin aty kishin parë që makina kishte përfunduar jashtë rrugës duke rënë në një distancë prej afërsisht 10 metrash poshtë. Përkundër pretendimeve për një person tjetër në veturë, Sallufi mohon që të ketë pasur një person të dytë në veturën e Olldashit e aq më pak femër.

“Nuk ka pasur person të dytë apo të tretë. Ishte e pamundur që në një situatë të tillë të kishte pasur një person të dytë dhe të mund të kishte shpëtuar gjallë”,- rrëfen Sallufi. Ai tregon se gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe se ai kishte shkuar atje për tri-katër minuta. Më pas, sipas tij, me shumë shpejtësi erdhën efektivë të policisë së kryeqytetit.

“Unë u afrova për të parë se kush ishte apo për të dhënë ndonjë ndihmë, por një polic që ishte aty më ndaloi të afrohesha. Ai ishte afruar më parë dhe kishte parë skenën e rëndë që ishte dhe më tha: Mos u afro, më duket se është Sokol Olldashi dhe ka vdekur”, – rrëfen Haki Sallufi. “Menjëherë iu ktheva policit dhe i thashë, Sokol Olldashin e kam mik vetë, sepse e kam pasur klient me qindra herë në lokal. Po ashtu djali im gjatë festës së Ditës së Verës së këtij viti ishte dhe i shërbeu edhe ballokume.

Aty e them me siguri të plotë që s’ka pasur njeri tjetër. Nëse do të kishte qenë, atëherë ai njeri ka vetëm një mundësi; ta ketë përpirë dheu. E pashë me sytë e mi. Isha vetëm pak metra larg dhe dukej që nuk kishte person tjetër veç deputetit Olldashi”, – tregon Sallufi.

Ai thotë se e gjithë kjo situatë shoqërohej me shi me rrebesh dhe erë të fortë. “Pak minuta pasi  ndodhi aksidenti, shiu e rrebeshi morën fund. “Unë isha aty kur disa vetë e ngritën veturën për të nxjerrë trupin, por qe e pamundur, pasi pesha e veturës qe shumë e madhe. Kur më pas e ngritën atë, trupi mbeti në tokë. Pashë që ishte dëmtuar shumë”.

Check Also

Ukraine: Rrezohet avioni i Malaysia Airlines me 295 persona

Ukraine: Rrezohet avioni i Malaysia Airlines me 295  persona ne bord. Një Boeing 777 i ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *