Home / Intervista / Një shishe në oqean – nga Anxhela Çikopano (leter e hapur qeverris shqiptare)

Një shishe në oqean – nga Anxhela Çikopano (leter e hapur qeverris shqiptare)

leter qeverris shqiptareNjë shishe në oqean – nga Anxhela Çikopano

Unë nuk di t’iu shkruaj letra të hapura qeveritarëve, ca më shumë kryeministrave, sepse si njeri me dy pare mend në kokë, që e ka shkuar gjithë jetën në këtë vend, e di mirë se një grua me krahë të zbuluar politikisht, me dy fëmijë për të rritur dhe me asnjë mundësi për të jetuar diku tjetër, nuk do të ishte fort ide e mirë të merrej me fuqinë e politikanëve. Prandaj po e fus këtë letër në një shishe dhe po e hedh në oqean…

Vëlla arstist
Unë nuk jam eksperte e armëve kimike, përkundrazi në kimi kam qenë tapë topi, po ama di tri gjuhë të huaja, kam një barrë mend dhe kam edhe shokun e ngushtë Google, që ma do mendja se edhe ti e konsulton kur nuk di diçka, vetëm se jam e sigurt se në ndryshim nga turma, unë e ti dimë t’i gjejmë mirë burimet e duhura të referencave mes qindra rezultateve të kërkimit. Unë jam vetëm një copë artiste, që i bëri ballë tundimit për të ikur kur ishte 20 vjeç, sepse besova që po të punoje fort, edhe në Shqipëri bëheshe (kam ca vite që jam bërë pishman si qeni). Ja ku jam: 18 orë në ditë para kompjuterit, jo për t’u pasuruar, por për të mbushur frigoriferin, për të veshur fëmijët dhe për t’u blerë libra. Nuk ma do mendja që të ketë intelektual në Evropë (se siç na kujton Konica, ne nuk vemi në Avropë, ne jemi në Avropë) të bëjë 4 punë në ditë për të mbushur frigoriferin, epo ja që na ka rënë për pjesë, do ta heqim, derisa gjërat të ndryshojnë e durimi të na nxjerrë faqebardhë. Unë e kuptoj me mendjekthjelltësi të plotë nevojën e Shqipërisë për para, se edhe unë dua të punoj më pak e të rri më shumë me fëmijët në një vend me standard më të lartë jetese. Sinqerisht vëlla, ta kam qarë hallin me shpirt me atë derexhe arkë shteti që duhet të kesh gjetur. Por preferoj të punoj si kalë e të ndaj atë pak që kam me ata që s’kanë edhe për ca vjet e të mos hyj në këtë qorrsokak. Nuk më ngushëllon asnjë tezë sigurie teknike, FARE! As mua dhe asnjë nënë në këtë vend. Më mirë i ushqejmë fëmijët me bukë thatë, se të sjellim Molotovin në derë të shtëpisë, sado me tre shtresa antitermike të jetë Tetrapaku që e mbështjell.
Unë nuk kam parti, vëlla, nuk kam marrë pjesë kurrë as në OJF-ra a OJQ-ra (nuk jam e atij soji) dhe po flas si prindi-prindit: hajde ndërrojmë vendet për pak, ja të vij unë aty e të të kall datën për tët bir, ç’do të bëje? Ta them unë: penelin do ma kishe ngulur si pykë në zemër për ta hequr qafe njëherë e mirë të ligën që s’ka fund dhe të jap të drejtë. Të besova (se kisha nevojë) kur the se doje të bëheshe baba i kombit, mos më bëj të ndihem budallaqe, boll na kanë poshtëruar gjithë këta vjet. Mos u bëj modeli mbi të cilin do t’i mësoj tim biri të ngrejë krye kur na marrin nëpër këmbë dinjitetin njerëzor; bëhu modeli që të tregoj me gisht nga ti e të them “ky na nxorri nga bataku, na bëri shtet, na vuri ligjin”; mos u fshih pas retorikave, thuaj vetëm atë çka ti më shumë se kushdo ke në dorë të thuash: JO.

Me shpirt
askushi

SHPERNDAJENI JU LUTEM! TE GJITH KEMI TE DREJT PER NJE JETE TE LIRE E TE PASTER

Check Also

Shqiperi – Serbi live 8 tetor 2015, ndeshja per euro 2016!

Shqiperi – Serbi live 8 tetor 2015, ndeshja per euro 2016! Edhe pak kohe ka ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *