Home / Revista / “Pallati i Bashës”, 4 kate dhe 2.5 dynym truall pa leje

“Pallati i Bashës”, 4 kate dhe 2.5 dynym truall pa leje

“Pallati i Bashës”, 4 kate dhe 2.5 dynym truall pa leje

pallati-i-lulit-ok

-Duhet të ishte një ndërtesë më e shumta deri katër kate, por tre vite pas vendimit të KRTT-së Vlorë, i ashtuquajturi “Pallat i Bashës”, ku vjehrri i tij, Xhafer Isufi është aksioner, sot ka tetë kate. Dhe jo vetëm kaq, pjesa më e madhe e tij, është ndërtuar mbi një truall, që është shtuar, duke hedhur gurë në det, në zonën e Ujit të Ftohtë, në një sipërfaqe që mendohet se shkon deri në 2500 metër katrorë.

Leja për pallatin u dha mes shumë të tjerave, në mbledhjen e KRRT-së së bashkisë Vlorë, në datën 17 gusht 2010. Edhe pse disa prej anëtarëve kundërshtuan dhënien e kësaj lejeje, me shumicë votash ajo u dha. Objekti ishte i qartë: “Në mbështetje të ligjit Nr.8405 Datë 17.09.1998 “Për Urbanistikën”, KRRT-ja e Bashkisë Vlorë, pasi shqyrtoi materialin e paraqitur nga Drejtoria e Planifikimit Urban dhe mendimin e Këshillit Teknik, vendoi të miratojë shesh ndërtimi për objekt banimi dhe shërbimi 1-3-4-kate + papafingo në Lagjen “Uji i Ftohtë” në perëndim të rrugës “Aleksandër Mojsiu” me pronarë trualli Xhuvi Serxhi e Xhafer Isufi”.

Nëse do të ishte zbatuar leja e ndërtimit, sot do të kishim një ndërtesë katër katëshe dhe me një papafingo lart. Por kemi, në fakt, një ndërtesë 8-katëshe, pa papafingo, por me një tarracë, impozante, me oxhakë të lartë dhe me një hapësirë të bollshme përpara, që e kanë shndërruar atë në atë që quhet sot “Joni resort”.

Pas marrjes së lejes nga bashkia e Vlorës, firma zbatuese e projektit, ditën për diell, në zonën ku kalon rruga kombëtare që lidh jugun me veriun dhe në pjesën më të lakmuar të bregdetit jonian, është punuar pa pushim, duke hapur themelet, ndërsa gurët nuk janë larguar, por thjesht u hodhën në det, për të shtuar truall përpara pallatit, sipërfaqe që prej asaj kohe i mungon hapësirës detare.

Shkeljet ishin aq flagrante, aq sa INUK u detyrua të ndërhynte një vit pas nisjes së punimeve. Sipas kallëzimit të INUK-ut, të datës 9 shtator 2011, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, evidentoi të gjitha shkeljet e kryera gjatë fillimit të punimeve si dhe në të njëjtën kohë, ngriti për prokurorinë e Vlorës dhe një pikëpyetje të madhe për pronarët e truallit. Dokumenti që ishte firmosur nga Gjergj Bojaxhiu, drejtori i Inspektoratit Ndërtimor në atë kohë, saktësonte shkeljet flagrante, kur një pronë në bregdet ishte ngritur nga hiçi, duke manipuluar procedurat, mbi fitimin pronësisë dhe regjistrimit, miratimin e lejeve të ndërtimit mbi një shesh ndërtimi që nuk ekzistonte, si dhe prishjen e ekosistemit, me shpërfytyrimin e peizazhit natyror.

INUK fajësonte drejtpërdrejt zyrtarët e bashkisë, duke u shprehur: “Nga verifikimi i dokumentacionit, kemi konstatuar se Drejtoria e Urbanistikës në bashki ka bërë plane të gabuara, duke kaluar në këshill miratimin e lejes dhe sheshit të ndërtimit. Funksionarë publikë në përbërje të KRRT-së Vlorë dhe veçanërisht Shpëtim Gjika, në cilësinë e kryetarit të këtij këshilli si dhe funksionarë të tjerë të këtij këshilli, në përbërje të Drejtorisë së Planifikimit Urban, ndonëse kanë përgjegjësinë të veçantë për njohjen dhe zbatimin rigoroz të rregullave të përgjithshme e të veçanta, ligjore e teknike, me vullnet të plotë kanë penguar zbatimin e tyre, duke lejuar ngritjen e një objekti ndërtimor në një territor me vlera të veçanta mjedisore e turistike, në të cilin ndalohen në mënyrë eksplicite çdo zhvillim ndërtimor”. Dhe për më tepër INUK shtonte masakrën me detin: “Ne kemi rezervat tona mbi truallin e destinuar si shesh ndërtimi për këtë objekt. Në një vëzhgim krahasues midis plazhit real në foto, sipas fotografimit ajror dhe materialeve grafike të përgatitura, dallohen mospërputhje të dukshme në konfigurimin e vijës ndarëse bregdetare midis sipërfaqes ujore dhe brezit ndarës. Evidentohen diferenca të dukshme midis shtrirjes reale të vijës kufizuese të sipërfaqes ujore nga bregu i plazhit dhe konfigurimit të kësaj vije në dokumentacionin grafik shoqërues të lejes për miratimin e destinacionit të sheshit të ndërtimit, lejes së ndërtimit të objektit si dhe hartë treguese e regjistrit të HTR”-thuhej në kallëzimin që më pas u harrua në sirtar.

“Pallati i Bashës”, kreu i INUK-ut: Po verifikojmë dosjen

“Banorët e pallatit, të lirë të hyjnë në shtëpinë e tyre. Nuk jemi njohur ende me kallëzimin penal”

Vendimi për prishjen ose jo të pallatit të 8-katësh në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë do të vendoset vetëm pas shqyrtimit të plotë të dosjes nga Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Kreu i INUK-ut, Zyhdi Dajti, pohon për gazetën “Shekulli” se struktura që ai drejton është ende në proces të shqyrtimit të gjithë dokumentacioneve lidhur me pallatin 8-katësh. Ai ka konfirmuar ndërkohë se, të gjithë qytetarët që janë banorë në këtë pallat, janë krejtësisht të lirë të hyjnë në shtëpinë e tyre.

Hyrja në pallat

“Ata që janë banorë aty hyjnë pa asnjë problem. Nuk ka pasur pengesë për ta. Nëse të tjerë duan të hyjnë për ta parë këtë pallat si muze, nuk di ç’të them për ta”, – deklaroi dje për gazetën “Shekulli”, kreu i Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar. Ndërkohë që prej katër ditësh banorët e pallatit pretendonin se nuk mund të hynin në shtëpinë e tyre. Sa i përket vendimit për prishjen ose jo të pallatit 8-katësh, Dajti sqaroi se: “Po vijon verifikimi i plotë i dokumentacionit. Nuk ka asnjë vendim”.

Kallëzimi penal

I pyetur për kallëzimin e bërë nga avokati i banorëve të pallatit ndaj INUK-ut, Dajti tha se nuk është njohur ende me të. “Çdo njeri ka të drejtë të bëjë kallëzim. Nuk jam njohur ende me dokumentin, por do të ketë një reagim në momentin përkatës”, – deklaroi ai. Dajti shtoi se qëndrimi zyrtar do të vijë pasi të bëhen dhe të gjitha verifikimet e duhura për dosjen që ata kanë marrë në shqyrtim. Dy ditë më parë avokati mbrojtës i familjarëve që kanë blerë hyrje në atë godinë, ndërtuar vetëm 1 vit më parë, Maks Haxhia, ka deklaruar për gazetën “Shekulli” se ka kallëzuar penalisht Policinë e Shtetit dhe INUK-un për veprimet arbitrare dhe shkeljen e të drejtës themelore të njeriut që lidhet me pronën. Haxhia ka vënë theksin në faktin se banorët e pallatit kanë të gjithë dokumentacionin e duhur: “Janë të dokumentuara pronësia mbi truallin, leja e ndërtimit, leja e sheshit të ndërtimit, realizimi i ndërtimit, pagesa e gjithë taksave, kontratat mes shtetasve dhe investitorëve, kontrata e shtetasve dhe bankës që i ka financuar në formë kolaterali, ku kanë vënë atë apartament që kanë blerë. Pas kolaudimit është bërë dhe hipotekimi i pallatit”, – ka deklaruar ai. Haxhia ka sqaruar se pronarët e ndërtesës kanë vënë në dispozicion të INUK-ut gjithë dokumentacionin e kërkuar ndërsa këta të fundit nuk kanë paraqitur para banorëve dhe pronarëve asnjë lloj dokumenti ku janë të urdhëruar të ndërhyjnë për të mos lejuar familjarët dhe shtetasit që kanë blerë hyrjet në ambientet e tyre.

Denoncimi i banorëve në “stoprrënimit.com”

Ngritja e pallatit 8-katësh në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë është konsideruar si abuzim nga qytetarët vlonjatë. Në faqen e bërë publike nga Kryeministri Edi Rama, “stoprrënimit.com” mes 990 fotove për ndërtime në vende e qytete të ndryshme të Shqipërisë, janë hedhur foto dhe nga pallati 8-katësh në Vlorë, ose i quajtur kompleksi “Jon”. “Pallati i Lulit thonë në Vlorë. I ka dhënë dhe ngjyrën e partisë Luli. Po lejen e jep Shpëtimi. Do i ketë shkulur mustaqet Shpëtimit deri sa i mori firmën për këtë lejë. Kusuri i pushtetit të ri që i duhet të shpenzojë lekë për të kompensuar mungesën e logjikes së pushtetarëve ekzistues”, – është komenti shoqërues i fotos që identifikon pallatin në Ujin e Ftohtë. Ndërsa në një tjetër koment thuhet: “Ah, ti Edi nuk e di që Shpëtimi ta ka hedhur. Halla e Shpëtimit ka të bëjë me vjehrrin e Lulëzim Bashës, prandaj kemi këtë ndërtim abuziv këtu”.

INUK-u bllokon hotelin te sheshi i bustit të Enver Hoxhës 

Ndalohet ndërtimi në zonën muzeale në Gjirokastër ku dikur ka qenë vendosur një statujë e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Inspektorati Ndërtimor Kombëtar u kanë ndaluar pronarëve të truallit zhvillimin e pronës së tyre, ndërtimin e një godine hotelerie, për të cilën është marrë leje nga sekretari i këshillit kombëtar të restaurimit, Apolon Baçe. Sipas pronarëve, bllokimi i pronës është bërë pa paralajmërim, në mënyrë selektive dhe të padrejtë. Sipas pronarit, Hysen Kodra, projekti për gjallërimin e një hapësire që kufizohej me beton në vendin e quajtur si Kodra e Fantazisë, sjell në arkitekturën e vet një imitim të fasadës së shtëpisë së njohur të Angonatëve. Nga 300 ndërtime pa leje në Gjirokastër deri tani është zgjedhur ky ndërtim, që pretendohet të jetë më leje për t’u shkatërruar. Ndërtimet pa leje në Gjirokastër janë bërë shpesh objekt i raporteve të UNESKO-s, e cila ka paralajmëruar se qyteti mund të humbasë edhe statusin e fituar si pasuri e trashëgimisë botërore. Por, deri më sot asnjë aksion nuk është ndërmarrë në qytet për prishjen e ndërtimeve pa leje, në të cilat vihet re edhe zëvendësimi i çative të gurta nga betoni.

Check Also

Shqiperi – Serbi live 8 tetor 2015, ndeshja per euro 2016!

Shqiperi – Serbi live 8 tetor 2015, ndeshja per euro 2016! Edhe pak kohe ka ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *