Home / Lajme / Pse u zgjodh Shqipëria për armët kimike?

Pse u zgjodh Shqipëria për armët kimike?

sulejman-Abazi

Dr. Sulejman Abazi 

Respektimi i marrëveshjeve të ratifikuara është detyrim. Qenia në NATO është detyrim. Kërkesa për anëtarësim në BE është aspiratë. Ky problem është një gur prove për qeverisjen e Rilindjes. Çfarë do të bëjë Kryeministri? Mendoj se pranë tij duhet të funksionojë grupi i specialistëve.

Të dëgjohen ekspertët e zotë dhe jo këshilltarë militantë. Veçanërisht këtë kusht e kërkon ky operacion kaq delikat. Të kuptojmë se ADM-të janë të rrezikshme kur përdoren, kur bëhen aktive, por jo kur trajtohen brenda kushteve teknike teknologjike dhe infrastrukturore. Të gjithë pyesin: Pse u zgjodh pikërisht Shqipëria?! Kam lexuar edhe në analistë të tjerë të Lindjes dhe Perëndimit dhe edhe ata e kanë shprehur këtë dileme. Vende si Turqia, Belgjika, Holanda, Suedia nuk e kanë pranuar këtë version. Por ne duhet ta kuptojmë të vërtetën.

Nuk është çështje parash, sa do të përfitojë qeveria shqiptare nga ky operacion, sepse Kryeministri i Shqipërisë këtu i ka paratë, vetëm duhet të dijë t’i mbledhë nëpërmjet shtetit ligjor. Nuk është as çështje e kushteve dhe teknologjisë, pasi çdo gjë ndërtohet dhe rindërtohet. Nuk është as çështje e kushteve të ruajtjes, pasi Shqipëria ka me qindra km tunele speciale deri hermetike që ADM-të e Asadit të rrinë këtu me dekada pa asnjë problem. Tërë ky arsenal i ADM-ve, në vetvete përbën një pasuri të madhe në vlerë monetare dhe në përbërësit e vet kimikë. Do të shkatërrohen apo do të ruhen?! Ka plot ndërhyrje profesionale në këtë çështje delikate, por ajo që më shqetëson nga sa po përflitet nga lloj-lloj “kompetentësh”, është vetë kërkesa që të mos e politizojmë problemin. T’i drejtohemi Kushtetutës.

Edhe pse kohë e pakët, prej 8 ditësh, problemin ta diskutojë Parlamenti, pa orientim paraprak në grupet parlamentare. Le të jetë një vendim mbi bazën e gjykimit të këtyre deputetëve që pretendojnë se përfaqësojnë vullnetin popullor. Është rasti të shikojmë vetë se kë kemi çuar në Parlamentin e Shqipërisë. Ajo që na shqetëson gjithashtu, është fakti se në Shqipëri nuk ka mendim dhe qëndrim të organizuar qytetar. Të gjithë flasin se “nuk duhet kjo”, por rrinë e bëjnë sehir prof. Sazan Gurin, e ndoshta edhe e ironizojnë kur ai ngre zërin për ruajtjen e mjedisit. Do të ngarkoja me përgjegjësi të rëndë sistemin mediatik, që me “show-n” e tyre po helmojnë ndërgjegjen qytetare më keq se sa efektet e ADM-ve. Gjithsesi, probleme të tilla mund të shtrojmë plot, por ajo që duhet të kuptojmë nga tërë kjo zhurmë është ardhmëria e vendit tonë. Në pozitën që do të ketë Shqipëria në çështjet globale. Kjo sprovë delikate i ra qeverisjes Rama në hise.

Le të presim dhe respektojmë të drejtën e institucioneve kushtetuese dhe specialistëve, të mos bëhemi të gjithë me këtë rast “konstitucionalistë dhe kimistë”. Urojmë që kjo situatë të zgjidhet me sukses. Thjesht, duhet të japësh që të marrësh.

Check Also

Ukraine: Rrezohet avioni i Malaysia Airlines me 295 persona

Ukraine: Rrezohet avioni i Malaysia Airlines me 295  persona ne bord. Një Boeing 777 i ...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *